Lavdërimi është për All-llahun, krijues i qiejve dhe i tokës, i cili i ka bërë engjujt profetë me nga dy, tre e katër krahë. Ai u shton krijesave ç’të dojë. All-llahu, pa dyshim, ka mundësi për gjithçka.
Mëshirën që All-llahu ua dhuron njerëzve askush nuk mund ta pengojë, kurse atë që e ndal Ai, askush nuk mundet përveç atij, t’a lëshojë. Ai është i fortë i urtë.
O njerëz, kujtone mëshirën e All-llahut ndaj jush, a ekziston, përveç All-llahut, ndonjë tjetër, i cili ju furnizon nga qielli dhe toka? Përveç Atij, nuk ka tjetër Zot, e prej ku po ikni?!
O njerëz, premtimi i All-llahut është, pa dyshim, i vërtetë dhe kurrsesi mos t’iu mashtrojë jeta në këtë botë dhe le të mos ju gënjejë djalli në besimin tuaj në All-llahun.
Edhe atë, të cilit, veprat e veta të këqia i janë dukur të mira, ai ashtu i konsideron. All-llahu e lë të humbur kë të dojë dhe e drejton në rrugë të drejtë kë të dojë, prandaj mos shkatërro veten për ata! All-llahu, njëmend, e di krejt çka punojnë.
All-llahu është ai i cili dërgon erërat, që lëviz retë, kurse Ne pastaj i drejtojmë kah vende të vdekura dhe me to ngjallim tokën që ka qenë e vdekur. Ashtu është edhe ringjallja.
Kush dëshiron madhështi, e gjithë madhështia i takon All-llahut. Te Ai shkojnë fjalët e mira dhe veprat e mira i pranon. Ndërsa ata që kanë qëllime të këqia i pret dënim shumë i rëndë, sepse dredhitë e tyre janë të dështuara.
All-llahu ju ka krijuar nga dheu, pastaj nga pika e farës dhe më në fund ju bënë çift. Asnjë femër nuk mbarset e as nuk lind e të mos dijë Ai. Dhe jeta e askujt nuk zgjatet e as nuk shkurtohet e ajo të mos jetë e shënuar në Libër. Kjo me të vërtetë është leht për All-llahun.
Edhe dy dete nuk janë të njëjta. Ky është i ëmbël e i këndshëm; uji i tij pihet me shije, kurse ky tjetri është i njelmët dhe i hidhët, por ju nga të dy hani mish të freskët dhe nxirrni stoli të cilat i mbani. Ti sheh edhe lundrat si e çajnë ujin nëpër të me qëllim që të fitoni nga pasuria e tij për të qenë mirënjohës.
Ai e shndërron natën në ditë dhe ditën e bën natë; Ai ka mposhtur Diell dhe Hënë – secila lëviz deri në afatin e caktuar; Ai është All-llahu, Zoti juaj; Ai e ka pushtetin, ndërsa ata, të cilëve ju u faleni në vend të tij, nuk posedojnë asgjë, as sa cipa e hurmës.
Kur i lutni nuk e dëgjojnë lutjen tuaj, po edhe në dëgjofshin, nuk iu përgjigjen, e në ditën e kijametit do ta mohojnë politeizmin tuaj, dhe askush nuk do të informojë si Ai i cili di.
Dhe asnjë fajtor nuk do ta bartë fajin e tjetrit, nëse të ngarkuarit me mëkate thërrasin që t’u barten, nuk do t’u bartet asgjë, edhe në pastë të afërm. Ti tërhiqu vërejtjen atyre të cilët i frikësohen Zotit të tyre edhe kur nuk i sheh kush, dhe falin namazin. Kush pastrohet, pastrohet për vete, kurse në fund kthehen tek All-llahu.
Në qoftë se të përgënjeshtrojnë, ani – edh ata përpara tyre i kanë përgënjeshtruar, kurse profetët e tyre u sjellnin argumente të qarta; edhe broshura edhe Librin e ndritur.
A nuk e sheh se All-llahu nga qielli lëshon ujin dhe ne me të krijojmë frute ngjyrash të ndryshme, kurse në male ka rrugica të bardha a të kuqe, me ngjyra të ndyrshme, por edhe krejtësisht të zeza.
Ka gjithashtu edhe njerëz edhe gjallesa e kafshë ngjyrash të ndryshme. Por All-llahut, nga robërit e tij, i frikësohen të dijshmit. All-llahu është, njëmend i fortë dhe fal.
Ata që lexojnë Librin e All-llahut, kryejnë namazin dhe japin fshehtazi dhe haptazi, nga ajo që i kemi furnizuar ne, mund të shpresojnë në tregti që nuk humbet.
Kurse ajo që të shpallim prej Librit, ajo është e vërtetë e kulluar, që vërteton saktësinë edhe të atyre para tij. Me të vërtetë All-llahu për robërit e vet është i informuar dhe sheh shumë.
Pastaj u lëmë trashëgim Librin atyre njerëzve tanë, të cilët i kemi zgjedhur; ka prej atyre që i bëjnë krim vetes, ka prej atyre që janë mesatar, por ka edhe të atillë, të cilët me vullnetin e All-llahut tejkalojnë me vepra të mira. Ajo është mirësi e madhe.
Kurse mosbesimtarët i pret zjarri i xhehennemit. Ata nuk do të gjykohen e të vdesin, dhe as do t’u lehtësohet dënimi i tij. Ja, kështu ne e shpërblejmë çdo mosbesimtar.
Ata do të klithin aty: “O Zoti ynë, nxirrna se do të bëjmë vepra të mira, jo si ato që kemi bërë”. “A nuk ju kemi lënë të jetoni mjaft, e ai që ka dashur të mendojë ka pasur mjaft kohë, madje u erdh edhe Profeti! Pra, shijone se për mosbesimtarët nuk ka ndihmëtar”.
Ai është, i cili u ndërron në tokë; kush nuk beson, mosbesimi i tij është kunëdr tij, dhe mosbesimtarëve nuk u shtohet mosbesimi i tyre te Zoti, vetëm se u rritë neverinë, dhe nuk u shtohet mosbesimtarëve mosbesimi i tyre, por vetëm dënimi.
Thuaj: “I patë shokët tuaj të cilëve u faleni në vend të All-llahut! Pa më tregoni çka kanë krijuar nga toka dhe a kanë pjesëmarrje në krijimin e qiejve? Ose u kemi dhënë atyre një libër dhe aty kanë argumente për të”. Asgjë, por kriminelët premtojnë njëri-tjetrin gënjeshtra.
Me të vërtetë All-llahu ruan qiejt dhe tokën që të mos shkatërrohen – çrregullohen. Po nëse çrregullohen, askush tjetër përveç atij nuk do t’i ndalte. Ai është, pa mëdyshje, i butë dhe fal mëkatet.
Ata janë betuar në All-llahun me betim të fortë se, në qoftë se u vjen ai, i cili do tu tërheqë vërejtjen, më mirë se çdo popull do të mbajnë rrugën e drejtë, mirëpo kur u erdh atyre, ai që u tërhoq vërejtjen nuk u shtoi asgjë përveç largimit.
Duke bërë arrogancë në tokë dhe kurtha të këqia por kurthat do të godasin mu ata, të cilët shpërblehen me ato. Vallë, po a mund të presin ata tjetër gjë përveç asaj që i ka goditur popujt e vjetër! Në ligjet e All-llahut kurrë nuk do të gjesh ndryshim; në ligjet e All-llahut s’ke për të gjetur lajthitje.
A nuk kanë ecur nëpër tokë që të shohin si kanë përfunduar ata para tyre, të cilët kanë qenë më të fortë se ata? Allaut nuk mund t’i shpëtojë asgjë, as në qiej as në tokë. Ai me të vërtetë i di të gjitha dhe është i fortë.
Sikur All-llahu t’i dënojë njerëzit sipas asaj që e meritojnë, nuk do të linte asgjë të gjallë në sipërfaqe të tokës, por Ai i le ata deri në një afat të caktuar dhe kur t’u vijë koha e tyre, po All-llahu i sheh mirë robërit e vet.