Vini re! Adhurim i sinqertë është vetëm ai për All-llahun! Ndërsa ata që në vend të tij adhurojnë miq të tjerë (duke thënë): Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër, vetëm që të na afrojnë sa më afër All-llahut, s’ka dyshim se All-llahu do të gjykojë mes tyre për atë që ata ishin në kundërshtim. E, është e vërtetë se All-llahu nuk udhëzon në rrugë të drejtë, atë që është rrenës, jobesimtarë.
Sikur të kishte dashur All-llahu të ketë fëmijë, do të zgjidhte atë që dëshiron nga çka Ai vetë krijon. I pastër është Ai! Ai është All-llahu, i vetmi, i fuqishmi!
Ai krijoi qiejt e tokën me qëllim të caktuar; Ai natën mbështjell (vendi të) ditës dhe ditës ia mbështjell natës; Ai nënshtroi diellin dhe hënën, që ssecili lëviz deri në një afat të caktuar, pra Ai është ngadhënjyesi, mëkatfalësi.
Ai ju krijoi juve prej një njeriu, mandej prej tij e krijoi palën (çiftin) e tij dhe Ai krijoi për juve tetë nga qiftet e kafshëve. Ai u krijoi në barqet e nënave tuaja, krijim (etapë) pas krijimit në tri errësira. Ky është All-llahu, Zoti juaj, vetëm i Tij është pushteti, nuk ka tjetër pos Tij. E, si pra, i shmangeni (adhurimit të Tij)?
Nëse ju nuk besoni, All-llahu nuk është nevojtarë për ju; megjithatë, Ai nuk është i kënaqur me mosbesimin e robërve të Vet, e nëse jeni mirënjohës ndaj Tij, Ai e pëlqen atë për ju. Ndërkaq, nuk do ta bartë asnjë mëkatarë barrën e tjetrit. Pastaj, e ardhmja juaj është vetëm te Zoti juaj, e AI do t’ju njoftojë me atë që keni vepruar. Vërtet, Ai e di shumë mirë se çka mbajnë zemrat.
E kur e godit njeriun ndonjë e keqe (ndonjë dëm), ai e lut Zotin e vet duke kërkuar ndihmë vetëm prej Tij, e kur nga ana e TIj i je ndonjë të mira (ia largon të keqen), ai e harron atë që më parë është lutur Atij, dhe i përshkruan shokë All-llahut për të larguar (njerëzit) nga rruga e Tij. Thuaj: “Kënaqu për pak kohë më mosbesimin tënd, se ti pa dyshim je nga banuesit e zjarrit!”
(A jobesimtari e ka gjendjen më të mirë) Apo ai që kohën e natë e kalon në adhurim, duke bërëb sexhde, duke qëndruar në këmbë, i ruhet (dënimit të) botës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të vet? Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” Po, vetëm të zotët e mendjes marrin mësim.
Thuaj: “O robërit e Mi që keni besuar, kini frikë ndaj Zotit tuaj. Ata që bënë mirë në këtë jetë, kanë të mirë të madhe, e Toka e All-llahut është e gjërë, ndërsa të durueshmive u jepet shpërblimi i tyre pa masë!”
E ju pra, adhuroni pos Tij çka të doni!” Thuaj: “Të dështuar në ditën e kijametit janë ata që e kanë hmbur veten dhe familjen e vet. Vini re: ky është dështimi i njëmendët.
Të cilët i dëgjojnë fjalët dhe pasojnë atë më të mirën prej tyre. Të tillët janë ata që All-llahu i udhëzoi në rrugën e drejtë dhe të tillët janë ata të mençurit.
Ndërkaq, ata që u ruajtën për hir të Zotit të tyre, për ta do të ketë dhoma të ndërtuara njëra mbi tjetrën, nën të cilat rrjedhin lumenjtë. Premtimi i All-llahut, e All-llahu nuk e thyen premtimin.
A nuk e sheh se All-llahu lëshon ujë nga qielli dhe atë e shpërndanë në tokë nëpër burime, mandej me të mbijnë bimë të llojeve dhe të ngjyrave të ndryshme, pastaj ajo thahet dhe ti e sheh ata të zverdhurar dhe pastaj e bën atë të llomitr. S’ka dyshim se në këtë ka argument për të zotët e mendjes.
Atij që All-llahu ia ka zgjruar kraharorin për besim islam, ai është në një dritë të sigurt prej Zotit të vet. Të mjrët janë ata që nga zemërfortësia e tyre nuk përmendin All-llahun, të tillët janë në humbje të qartë.
All-llahu e shpalli të folmën më të mirë, librin, të ngjashëm në mrekulli, të përsëritur herë pas herë (me këshilla e dispozita), që prej (dëgjimit të) tij rrënqethen lëkurat dhe zemrat e tyre. Ky (libër) është udhëzim i All-llahut, me të udhëzon atë që do. E atë që All-llahu e le të humbur, për të nuk ka ndonjë udhëzues.
E ai që me fytyrën e vet mbrohet nga dënimi në ditën e kijametit (a është i njejtë me atë të shpëtuarin)? Kur mizorëve u thuhet: “Përjetoni të keqen e asaj që punuat!”
All-llahu solli një shembull: Një njeri (rob) në posedimin e të cilit ishin ortakë pa marrëveshje mes vete dhe njëri (rob) që është thjesht në posedimin e një njeriu. A janë ata të dy të një lloji (të një gjendjeje)? Lavdërimi i takon vetëm All-llahut, por shumica e tyre, nuk e dinë.
E kush është më mëkatar se ai që flet të pavërtetën ndaj All-llahut dhe se ai që kur i erdhi e vërteta e përgënjeshtroi? A nuk është në Xhehennem vendqëndrimi për jobesimtarët?
Po nëse i pyet ata se kush i krijoi qiejt e tokën, sigurisht ata do të thonë: “All-llahu!” Ti thuaju: “Më tregoni pra, për ata që i adhuroni, pos All-llahut, nëse All-llahu më godit mua me ndonjë të keqe, a munden ta largojnë ata atë të keqe, ose, nëse All-llahu dëshiron ndonjë të mirë ndaj meje, a munden ta pengojnë ata të mirën e Tij?” Thuaju: “Mua më mjafton All-llahu. Vetëm Atij i mbështeten të mbështeturit”.
Ne ta zbritëm ty librin me argumente për njerëz, e kush orientohet në rrugën e vërtetë, ai e ka për vete e kush e humb, ai i bën dëm vetëm vetes, e ti nuk je garantues i tyre.
All-llahu i merr shpirtrat kur është momenti i vdekjes së tyre (i vdekjes së trupave të tyre), e edhe atë që është në gjumë e nuk ka vdekur, e atij që i është caktuar vdekja e mban (nuk e kthen), e atë tjetrin (që nuk i është caktuar vdekja, por është në gjumë), e lëshon (të kthehet) deri në afatin e caktuar. Vërtet, në këto ka argumente për një popull që mendon.
Thuaj: “O All-llah, Krijues i qiejve e i tokës, Njohës i të fshehtës edhe i të dukshmës, Ti je që gjykon mes robërve Tu për atë që ata kundërshtoheshin”.
E sikur të ishte e atyre që nuk besuan, e tërë ajo çka ka në tokë e edhe njëherë aq, do ta jepnin kompensim për t’i shpëtuar dënimit të tmerrshëm në ditën e kijametit. E prej All-llahut do t’u prezentohet (lloji i dënimit) çka as nuk kanë mund të mendojnë.
Kur e godit njeriun ndonjë e keqe, ai na lutet Neve, e kur nga ana Jonë ia shëndërrojmë atë në ndonjë të mirë, ai thotë: “Kjo më është dhënë në bazë të dijes sime!” Jo, por ajo është një sprovë, por shumica e tyre nuk e dinë.
Ata i goditën të këqijat që i kishin punuar. Edhe prej këtyre, ata që bënë zullum, do t’i godasin të këqiat e veprave të tyre dhe nuk mund t’i shpëtojnë asaj (goditjeje).
Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!”
Pasha Alahun, ty të është shpallur, e edhe atyre para teje: “Nëse i bën shok (All-llahut), veprat tua janë të asgjësuara dhe ti do të jeshë prej të humburve.
Ata nuk e çmuan All-llahun me atë madhështinë që i takon, ndërsa, në ditën e kijametit e tërë toka është në grushtin e Tij, e qiejt të mbështjellë në të djathtën e Tij. Ai është i pastër nga të metat dhe Ai është i lartë nga çka ata i shoqërojnë!
Dhe i fryhet Surit dhe bie i vdekur çka ka në qiej dhe në tokë, përveç atyre që do All-llahu (të mos vdesin), pastaj i fryhet atij herën tjetër, kur qe, të gjithë aa të ngritur e presin (urdhërin e Zotit).
Toka është ndriçuar me dritën e Zotit të vet, libri (shënimet mbi veprat) është vënë pranë dhe sillen pejgamberët e dëshmitarët, e kryhet mes tyre gjykimi me drejtësi, e atyre nuk u bëhet padrejtë.
E ata që nuk besuan sillen në grupe te Xhehennemi, e kur arrijnë te ai, dyert e tij hapen e roja e tij u thotë atyre: “A nuk u patën ardhur juve të dërguar nga mesi juaj t’ju lexojnë shpalljet e Zotit tuaj, t’ju tërheqin vërejtjen për ballafaqimin tuaj në këtë ditë?” Po, (na kanë ardhur...) thonë ata, por fjala (vendimi) e dënimit domosdo është bërë realitet kundër jobesimtarëve!
E ata që ishin të devotshëm ndaj Zotit të tyre, sillen në grupe te Xhenneti, e kur arrijnë aty, dyert e tij i gjejnë të hapura dhe roja e tij u thotë atyre: “Selamun alejkum” - qofshi të shpëtuar, ishit të pastër, andaj hyni në të, aty do të jeni përgjithmonë.
E ata (të Xhennetit) thanë: “Falënderuar qoftë All-llahu, i cili premtimin e Vet e bëri realitet ndaj nesh dhe na e la në disponim tokën e Xhennetit që të vendosemi aty ku të duam! Sa shpërblim i mirë është i atyre që vepruan drejtë”.
E do t’i shohësh engjëjt të rreshtuar përreth Arshit, e madhërojnë me falënderim Zotin e vet. E në mes tyre (njerëzve) kryhet gjykimi me drejtësi dhe thuhet: “(prej të gjithëve) Falënderuar qoftë vetëm All-llahu, Zoti i botëve!”