Albanian

Surah Et Tevbe - Aya count 129
Share
Denoncim nga All-llahu dhe i dërguari i Tij ndaj idhujtarëve me të cilët ju patët lidhur kontratë (kumtesë për shkeputjen e marrëveshjes).
Dhe (ky është) një kumtim nga All-llahu dhe i dërguari i Tij, drejtuar gjithë njerëzve në ditën e haxhit të madh, se All-llahu është tërhequr prej (marrëveshjes së) idhujtarëve, e njëkohësisht edhe i dërguari i Tij. Po, nëe pendoheni, do të jetë më mirë për ju, e nëse ia ktheni shpinën (rrugës së drejtë), ta dini se nuk mund t’i shpëtoni (ndjekjes së) All-llahut. E, ti përgëzoji ata që mohuan me një dënim të padurueshëm.
E nëse ndokush prejidhujtarëve të kërkon strehim, ti strehoje në mënyrë që t’i dëgjojë fjalët e All-llahut (Kur’anin (, e mandej në vendin e tij të sigurt. Këtë ngase ata janë popull që nuk e dinë (të vërtetën e fesë islame).
Si mund të kenë udhujtarët besë (marrëveshje) te All-llahu dhe te i dërguari i Tij, përveç atyre me të cilët keni lidhur marrëveshje pranë xhamisë së shenjtë (Qabes), e derisa ata i përmbahe (marrëveshjes) përmbahuni edhe ju. All-llahu i do ata që ruajnë besën.
dhe Ai mënjanon brengat nga zemrat e tyre. All-llahu ia pranon pendimin atij që do. All-llahu i di të fshehtat, me urtësi zgjidh çështjet.
Nuk është e drejtë e idhujtarëve të kujdesen për xhaminë e All-llahut, duke qenë se vetë dëshmojnë për veten e tyre se janë mohues. Të tillëve u shkuan kot veprat e tyre dhe ata janë përgjithmonë në zjarr.
A mos e konsideruat dhënien e ujit haxhinjve dhe kujdestarinë ndaj xhamisë së shenjtë, si besimin e atij që i besoi All-llahut dhe ditës së fundit dhe që luftoi në rrugën e All-llahut? Jo, ato nuk janë të barabarta te All-llahu. Popullin mizor All-llahu nuk e vë në rrugë të drejtë.
Zoti i tyre i përgëzon ata me mëshirë nga Ai, me disponim ndaj tyre, me Xhennete ku ata do të kenë nimet (hirësi-mirësi) të pandërprerë.
Thuaj (o i dërguar): “Në qoftë se etërit tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, farefisi juaj, pasuria që e fituat, tregëtia që frikoheni se do të dështojë, vendbanimet me të cilat jeni të kënaqur, (të gjitha këto) janë më të dashura për ju se All-llahu, se i dërguari i Tij dhe se lufta për në rrugën e Tij, atëherë, pritni derisa All-llahu të sjellë vendimin e Tij. All-llahu nuk vë në rrugën e drejtë njerëzit e prishur.
Ata i konsideruan “ahbarët” (priftër jehudi) të tyre, “ruhbanët” (murgjit e krishterë) të tyre dhe Mesihun (Isain) birin e Merjemes, për zota pos All-llahut, ndërsa ata nuk janë urdhëruar për tjetër (nga pejgamberët) pos për adhurimin ndaj All-llahut një, e që nuk ka të adhuruar tjetër pos tij. I lartë është Ai nga çka i shoqërojnë.
Ai (All-llahu) është që e dërgoi të dërgarin e Tij me udhëzim të drejtë e fe të vërtetë, e për ta bërë që të dominojë mbi të gjitha fetë, edhe pse e urrejtën idhujtarët.
Atë ditë kur ajo (pasuri e deponuar) fërgohet në prushin e Xhehennemit, e me të (ashtu zharavë) lyhen ballët, anët dhe shpinat e tyre (do t’u thuhet): “Kjo është ajo që e dispozituat për veten tuaj, pra shijoni atë që e depozitonit!”
E shtyrja (e një muaj në vend të një tjetri) nuk është tjetër vetëm se një rritje e mosbesimit, që me të edhe më shumë humbin ata që mohuan, pse në një vit e bëjnë të lejuar atë (muajin e shenjtë), e në një vit të ndaluar (të shenjtë), e për të përputhur numrin që All-llahu i bëri të shenjtë dhe me atë, e bëjnë të lejuar atë që All-llahu e ndaloi. Atyre u janë hijeshuar veprat e tyre të këqia. Po, All-llahu nuk vë në rrugë të drejtë popullin mohues.
Nëse nuk e ndihmoni atë (Muhammedin s. a. w. s.), atë pra e ka ndihmuar All-llahu, kur e përzunë ata që nuk besuan të dytin prej dyve. Kur ishin në shpellë, ai (Muhammedi s. a. w. s.) i tha shokut të vet (Ebu Bekrit r. a.): “Mos u brengos, vërtet All-llahu është me ne!” E All-llahu zbriti qetësinë (sekinen) e Vet mbi të, dhe e fuqizoi me fuqi që ju nuk e patë dhe e bëri fjalën e atyre që nuk besuan më të ultën, kurse fjala e All-llahut është më e larta. All-llahu është i Fuqishmi, i Urti.
All-llahu ta fali ty (Muhammed) gabimin pse atyre ju dhe leje (të ngelin pa dalë) para se të bëhej për ty e qartë se cilët ishin të drejtë dhe t’i dije me kohë rrenacakët.
Vetëm ata që nuk besojnë All-llahun dhe botën tjetër dhe që zemrat e tyre janë të dyshimta, të kërkojnë leje (për të mos vajtur në luftë), pra ata, sillen vërdallë në dyshimin e tyre.
E sikur të kishin dëshiruar ata të dalin, do të bënin për të (për luftë) ndonjë përgatitje, por All-llahu nuk e pëlqeu ngritjen e tyre, ndaj i zmbrapsi, dhe u është thënë: “Rrini me të paaftit (fëmijët, gratë e pleqtë).
Edhe sikur të dilnin me ju, ata nuk do t’ju shtonin tjetër pos ngatërresës dhe shumë shpejt do të përçanin mesin tuaj, duke kërkuar t’ju turbullojnë. E ndër ju ka të tillë që i dëgjojnë ata. All-llahu i di shumë mirë hipokritët.
Dhe prej tyre ka të tillë që thonë: “Më lejo mua (të mos shko në luftë) e mos më vë në sprovë!” Ja, ata mu në sprovë kanë rënë (më parë). Xhehennemi gjithsesi i përfshin nga të gjitha anët jobesimtarët.
Nëse ty të takon ndonjë e mirë (në luftë), ajo u vjen keq atyre, e nëse të godet ndonjë e pakëndshme, ata thonë: “Ne edhe më parë kemi ndërmarrë për çështjen tonë dhe kthehen të gëzuar.
Thuaj: “Neve nuk na godet asgjë tjetër, përveç çka na ka caktuar All-llahu; Ai është ndihmëtar yni”. Prandaj, vetëm All-llahut le t’i mbështeten besimtarët.
E sikur të kënaqeshin me atë që ua dha All-llahu dhe idërguari i Tij, e të thonin: “Ne na mjafton All-llahu, All-llahu do të na furnizojë nga të mirat e Tij, e edhe i dërguari i Tij, dhe se vetëm te All-llahu e mbështesim dëshirën (do të ishte shumë më mirë për ta)”.
All-llahu caktoi obligim që lëmosha (zeqati etj.) t’ju takojnë vetëm: të varfëre (nevojtarëve), të ngratëve (që s’kanë fare (, punonjësve 9që e tubojnë), atyre që duhet përfituar zemrat (të dobëtve në besim), e duhet dhënë edhe për lirim nga robëria, të mbyturve në borgje, (luftëtarëve) në rrugën e All-llahut dhe atij që ka ka mbetur në rrugë. All-llahu e di gjendjen e robërve, punon sipas urtësisë së vet.
Ka prej tyre që e ofendojnë Pejgamberin e thonë: “Ai është bërë vesh (beson çka dëgjon)”. Thuaj: “Ai është vesh itë mirës suaj (dëgjon të mirën dhe vepron e jo të keqen), ai beson All-llahun (çka i thotë), u zë besë beismtarëve dhe është mëshirues për ata që besuan nga mesi juaj, e ata që nuk e lënë të qetë të dërguarin e All-llahut, ata kanë dënim të dhëmbshëm.
Ata ju betohen (muslimanëve) në All-llahun për t’ju bërë juve të kënaqur (se s’kanë qëllime të këqia), e me e drejtë është që ata të bëjnë të kënaqur All-llahun dhe të dërguarin r Tij (me adhurim dhe vepra të sinqerta) nëse vërtet janë besimtarë.
Hipokritëve dhe hipokriteve dhe jobesimtarëve All-llahu u ka përcaktuar zjarrin e Xhehennemit, ku do të jenë përgjithmonë, ai mjafton për ta, dhe ata i ka mallkuar All-llahu. Ata kanë dënim të pandërprerë.
A nuk u arrijti atyre lajmi i atyre që ishin më heret si: i popullit të Nuhut, i Adit, i Themudit, i popullit të Ibrahimit, i atyre të Medjemit dhe i të rrotulluarve (populli i Lutit). Atyre u patën ardhur të dërguarit e tyre me argumente. All-llahu (që i shkatërroi) nuk ua bëri atyre padrejtë, por ata ia bënë padrejtë vetes.
Ata betohen në All-llahun se kanë thënë (asgjë të keqe), e në të vërtetë, kanë thënë fjalë që nuk përkojnë me besimin, dhe pasi patën shprehur besimin ata e mohuan, dhe u përpoqën për atë (mbytjen e Pejgamberit) që nuk e arritën. Ata nuk urrejnë për tjetër pos pse All-llahu nga mirësitë e Tij dhe i dërguari i begatoi ata. Nëse ata pendohen do të jetë më mirë për ta, e nëse refuzojnë, All-llahui dënon me një dënim të dhembshëm si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër. E në këtë rruzull të tokës nuk ka për ta as mbrojtës, e as ndihmës.
E prej tyre (hipokritëve) pati sish që i patën dhënë besën All-llahut që: “Nëse na jep (All-llahu) nga mirësia e Tij, ne do të ndajmë lëmoshë dhe do të bëhemi prej punëmirëve.
Kur ju dha (All-llahu) nga të mirat e Veta, ata bënë koprraci me atë (që u dha), ethyen besën dhe u zbrapsen nga respekti ndaj All-llahut.
Dhe për shkak se u thyen besën që i patën dhënë All-llahut, dhe për shkak të asaj se gënjenin, All-llahu u ngjeshi hipokrizinë në zemrat e tyre deri në ditën që e takojnë Atë.
A nuk e ditën ata se All-llahu e di fshehtësinë e tyre (në zemra), bisedën e tyre, dhe se Ai (All-llahu) i di të gjiha të fshehtat.
Ata (hipokritë) që i përqeshnin besimtarët, që me vullnetin e vet japin lëmoshë, i përqeshin edhe ata të cilët nuk kanë më shumë se çka është e domosdoshme për jetesën e tyre, e njëkohësisht tallen me ta, All-llahu u dha shpërblimin e taljeve të tyre - dënimin më të rëndë.
Ata (hipokritë) që mbetën (pa shkuar në luftë), u gëzuan për ndejen e tyre pas të dërguarit të All-llahut dhe nuk dëshiruan që të luftonin me pasurinë dhe veten e tyre në rrugën e All-llahut dhe thanë: “Mos dilni (në luftë) në vapë!” Thuaju: “Zjarri i Xhehennemit ka vapën edhe më të fortë, nëse janë që kuptojnë!”
Nëse All-llahu të kthen ty (prej Tebukut) te ndonjë grup i tyre (hipokritëve), e ata të kërkojnë leje për të dalë (me ty në ndonjë luftë), thuaju: “Ju nuk do të dilni kurrë me mua dhe kurrë nuk do të luftoni ndonjë armik së bashku me mua! Ju ishit të kënaqur herën e parë që nuk luftuat, pra rrini me ata që mbetën!”
Dhe asnjërit prej tyre kur të vdesin, mos ia fal namazin (e xhenazës) kurrë, e as mos qëndro pranë varrit të tij (për lutje e vizitë), pse ata mohuan All-llahun dhe të dërguarin e Tij dhe vdiqën kryeneçë.
Disa nga arabët beduinë që kërkuan falje, erdhën për t’iu dhënë leje (të mos shkonin në luftë), e ata të tjerët që kishin gënjyer (me besim) All-llahun dhe të dërguarin e Tij ishin ndalë (paleje). Ata që prej tyre nuk besuan, do t’i godasë dënim i ashpër.
Arabët beduinë janë të pajisur me mohim e hipokrizi më të fortë, dhe janë më të përshtatshëm për të mos i njohur dispozitat që ia zbriti të dërguarit të Tij All-llahu. All-llahu i di çështjet, Ai është i urtë.
All-llahu është i kënaqur me të hershmit e parë prej muhaxhirëve (migruesve) dhe prej ensarëve (vendasve-ndihmëtarë) dhe prej atyre që i pasuan ata me punë të mira, e edhe ata janë të kënaqur ndaj Tij. Atyre u ka përgatitur Xhennete, në të cilëtrrjedhin lumenj, ku do të jenë përjetë të pasosur. E ky është fitim i madh.
Ka edhe të tjerë që i kanë pranuar mëkatet e veta: ata përzien vepra të mira, e edhe të tjeatë këqija. Atyre do t’ua falë All-llahu, se Ai i falë atij që pendohet, e mëshiron atë që përmirësohet.
Merr prej pasurisë së tyre (të atyre që pranuan gabimin) lëmoshë që t’i pastrosh me të dhe t’u shtosh (të mirat) dhe njëkohësisht lutu për ta, se lutja jote është qetësim për ta. All-llahu dëgjon dhe sheh.
Ka edhe të tjerëqë janë duke pritur urdhërin e All-llahut, a do t’i dënojë apo do t’i falë pas pendimit. All-llahu e di gjendjen e tyre dhe di ç’bën me të.
(Nga hipokritët më të shëmtuarit janë) Edhe ata që ndërtuan xhami sherri, mosbesimi e përçarjeje mes besimtarëve dhe ftuan në pritje (solemne) atë që më parë kishte luftuar kundër All-llahut dhe të dërguarit të Tij. Ata do të betohen: “Ne nuk kemi pasur tjetër qëllim, vetëm për të mirë!” Po All-llahu dëshmoi se ata vërtet janë rrenacakë.
Ndërtesa e tyre të cilën e ndërtuan ata (e që e shembi Pejgamberi) vazhdimisht do të jetë mllef në zemrat e tyre, pos nëse pëlcasin zemrat e tyre. All-llahu di, është i urtë.
(Të Xhennetit janë) Edhe ata që pendohen, ata që sinqerisht adhurojnë, ata qqë falenderojnë, ata që agjërojnë, ata që bëjnë ruku, që bëjnë sexhde, që urdhërojnë për të mira e ndalojnë nga të këqijat, edhe përmbushin dispozitat e All-llahut. Pra, përgëzoj besimtarët.
(Ai u fali) Edhe atyre të treve, të cilëve iu pat shtyrë aq (pranimi i pendimit) sa që toka u bë e ngushtë për ta, përkundër gjerësisë së saj, kur u ngushtuan edhe shpirtërat e tyre sa që u bindën se nuk ka srehim prej All-llahut (tjetër ku) pos te Ai. Prandaj edhe atyre ua fali ai, në mënyrë që të pendohen. All-llahu pranon pendimin se është mëshirues.
Nuk ishte me vend për banorët e Medinës e as për ata që ishin rreth tyre nga beduinët, të ngelin (pa shkuar) pas të dërguarit të All-llahut e as të kursejnë veten e tyre ndaj vetes së tij (Pejgamberit). Nuk ishte me vend ngase, ata nuk i godet as rtja, as lodhja, as uria kur janë në rrugën e All-llahut, dhe nuk shkelin ndonjë vend që i hidhëron mosbesimtarët, dhe nuk arrijnë kundër armikut çkado qoftë (mbytje, robërim të tyre ose ngadhënjim mbi ta), vetëm se të gjitha ato do t’u evidentohen atyre si vepër e mirë (shpërblyese). All-llahu nuk ua humb shpërblimin veprimirëve.
E sa u përket atyre që kanë sëmundje në zemrat e tyre, ajo (zbritja e kaptinës) ndytësisë së tyre u shton ndytësi dhe ata vdesin si jobesimtarë.